Add parallel Print Page Options

10 Filistejtë luftuan kundër Izraelit dhe Izraelitët ikën me vrap para Filistejve dhe ranë të vrarë në malin Gilboa.

Filistejtë ndoqën nga afër Saulin dhe bijtë e tij dhe vranë Jonathanin, Abinadabin dhe Malkishuan, bij të Saulit.

Beteja u bë e ashpër kundër Saulit, harkëtarët e goditën dhe ai u plagos rëndë.

Atëherë Sauli i tha shqyrtarit të tij: "Nxirr shpatën tënde dhe më shpo me atë, që këta të parrethprerë të mos vijnë e të tallen me mua". Por shqyrtari i tij nuk deshi ta bënte, sepse ishte trembur shumë. Atëherë Sauli mori shpatën dhe u hodh mbi të.

Kur shqyrtari e tij pa që Sauli kishte vdekur, edhe ai u hodh mbi shpatën e tij dhe vdiq.

Kështu vdiq Sauli me tre bijtë e tij; tërë shtëpia e tij u shua tok.

Kur të gjithë Izraelitët që banonin në këtë luginë panë që të tyret kishin ikur dhe që Sauli dhe bijtë e tij kishin vdekur, ata braktisën qytetet e tyre dhe ikën me vrap. Atëherë erdhën Filistejtë dhe u vendosën në vendin e tyre.

Të nesërmen Filistejtë erdhën për të zhveshur të vrarët dhe gjetën Saulin dhe bijtë e tij të rënë mbi malin Gilboa.

E zhveshën Saulin, i morën kokën dhe armaturën dhe çuan lajmëtarë në të gjithë vendin e Filistejve për të njoftuar lajmin në tempullin e idhujve të tyre dhe gjithë popullit.

10 E vendosën pastaj armaturën e tij në tempullin e perëndive të tyre dhe gozhduan kokën e tij në tempullin e Dagonit.

11 Kur tërë banorët e Jabeshit të Galaadit mësuan tërë atë që Filistejtë i kishin bërë Saulit,

12 tërë njerëzit trima u ngritën më këmbë, morën kufomën e Saulit dhe kufomat e bijve të tij dhe i çuan në Jabesh; pastaj i varrosën kockat e tyre nën brukën e Jabeshit dhe agjeruan shtatë ditë.

13 Kështu Sauli vdiq për shkak, të mosbensikërisë së tij ndaj Zotit, sepse nuk kishte respektuar fjalën e Zotit dhe njëkohësisht kishte konsultuar një medium për të marrë këshilla prej saj,

14 dhe nuk ishte këshilluar përkundrazi me Zotin. Prandaj Zoti e bëri të vdesë dhe ia kaloi mbretërinë Davidit, birit të Isait.