Add parallel Print Page Options

Pali, apostull (jo nga njerëzit, as me anë të njeriut, por nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Perëndisë Atit, që e ringjalli prej së vdekurish),

dhe gjithë vëllezërit që janë me mua, kishave të Galatisë:

Paçi hir e paqe nga Perëndia Ati dhe nga Zoti ynë Jezu Krishti,

që e dha veten e tij për mëkatet tona, për të na shpëtuar nga kjo kohë e mbrapshtë, sipas vullnetit të Perëndisë, Atit tonë,

i cili pastë lavdi në shekuj të shekujve. Amen.

Çuditëm që kaluat kaq shpejt nga ai që ju thirri ju me anë të hirit të Krishtit, në një ungjill tjetër,

i cili nuk është tjetër; por ka disa njerëz që ju turbullojnë dhe që duan ta shtrëmbërojnë ungjillin e Krishtit.

Por, edhe sikur ne ose një engjëll i qiellit t’ju predikonte një ungjill të ndryshëm nga ai që ju kemi predikuar, qoftë i mallkuar.

Ashtu si e thamë më përpara, po e them përsëri: Në qoftë se dikush ju predikon një ungjill tjetër nga ai që keni marrë, qoftë i mallkuar.

10 Sepse unë tani vallë kërkoj të fitoj miratimin e njerëzve apo të Perëndisë? Apo kërkoj t’u pëlqej njerëzve? Sepse, po të kërkoja t’u pëlqej njerëzve, nuk do të isha shërbëtori i Krishtit.

11 Tani, o vëllezër, po ju vë në dijeni se ungjilli që është shpallur nga unë, nuk është sipas njeriut,

12 sepse unë nuk e kam marrë as e kam mësuar nga ndonjë njeri, por e kam marrë nëpërmjet një zbulese nga Jezu Krishti.

13 Sepse ju keni dëgjuar për sjelljen time të atëhershme në judaizëm, si e përndiqja me egërsi të madhe kishën e Perëndisë dhe e shkatërroja.

14 Dhe si përparoja në judaizëm më tepër se shumë bashkëkohës të kombit tim, duke qenë jashtëzakonisht i zellshëm për traditat e etërve të mi.

15 Po, kur i pëlqeu Perëndisë, që më kishte ndarë që nga barku i nënës dhe më thirri me anë të hirit të tij,

16 që të zbulojë në mua Birin e tij, që unë t’ua shpall midis joçifutëve, unë nuk mora menjëherë këshill nga mish dhe gjak,

17 as nuk u ngjita në Jeruzalem tek ata që ishin apostuj përpara meje, por shkova në Arabi dhe u ktheva përsëri në Damask.

18 Pastaj, pas tre vjetësh, u ngjita në Jeruzalem për të takuar Pjetrin dhe ndenja me të pesëmbëdhjetë ditë.

19 Dhe nuk pashë asnjë nga apostujt e tjerë, përveç Jakobit, vëllait të Zotit.

20 Dhe në këto që po ju shkruaj, ja, përpara Perëndisë, nuk gënjej.

21 Pastaj shkova në krahinat e Sirisë dhe të Kilikisë.

22 Por unë personalisht isha i panjohur nga kishat e Judesë, që janë në Krisht,

23 po ato kishin dëgjuar vetëm: “Ai që na persekutonte më përpara, tani po shpall atë besim që ai shkatërronte,”

24 dhe përlëvdonin Perëndinë për shkakun tim.