Add parallel Print Page Options

Prandaj ne duhet t’u përmbahemi më shumë atyre që dëgjuam, se mos shkasim ndonjë herë nga ruga.

Sepse, në qoftë se fjala që u fol nga engjëjt është e patundur dhe çdo shkelje e mosbindje mori një shpagim të drejtë,

si do të shpëtojmë ne, nëqoftëse e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh? Ky shpëtim, si u shpall në fillim prej Perëndisë, u vërtetua ndër ne nga ata që e dëgjuan,

ndërsa Perëndia dëshmonte për të me anë shenjash e mrekullish, me vepra të ndryshme të fuqishme dhe me dhurata të Shpirtit të Shenjtë, sipas vullnetit të tij.

Sepse Perëndia nuk e vuri nën pushtet të engjëjve botën që ka për të ardhur, për të cilin po flasim,

por dikush dëshmoi diku duke thënë: “Ç’është njeriu, që të bie ndërmend për të? Ose i biri i njeriut që të kujdesesh për të?

Ti e bëre për pak kohë më të vogël nga engjëjt, ti e kurorëzove me lavdi dhe me nder dhe e vure përmbi veprat e duarve të tua;

Ti i vure të gjitha nën këmbët e tij.” Sepse, mbasi i vuri të gjitha nën pushtetin e tij, nuk la asgjë pa iu nënshtruar. Por tani nuk shohim ende që të gjitha janë nën pushtetin e tij,

por shohim Jezusin të kurorëzuar me lavdi dhe me nder për vdekjen që pësoi; ai u bë për pak kohë më i vogël se engjëjt, që me hirin e Perëndisë të provonte vdekjen për të gjithë njerëzit.

10 Sepse i duhej atij, për të cilin dhe nëpërmjet të cilit janë të gjitha, duke çuar shumë bij në lavdi, ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve realizuesin e shpëtimit të tyre.

11 Sepse ai që shenjtëron dhe ata që shenjtërohen janë të gjithë prej një; prandaj as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër,

12 duke thënë: “Vëllezërve të mi do t’ua shpall emrin tënd, do të të lavdëroj në mes të kishës.”

13 Edhe më: “Do të shpresoj në të.” Dhe përsëri: “Ja unë, dhe fëmijët që m’i dha Perëndia.”

14 Sepse, duke qenë se bijtë kanë marrë pjesë prej mishi dhe gjaku, po ashtu edhe ai u bë pjestar në po ato gjëra, që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin,

15 edhe të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën.

16 Sepse ai nuk kujdeset për engjëjt, por ndihmon pasardhjen e Abrahamit.

17 Prandaj ai duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë, për për t’u bërë pajtim për mëkatet e popullit.

18 sepse, duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen.